
Më datë 8 janar në qytetin e Tiranës do të nisë edicioni i radhës i kursit për trajnerë të nivelit UEFA B, që organizohet nga Drejtoria Teknik në FSHF dhe është i rezervuar për trajnerët të cilët janë të pajisur me licencën UEFA C dhe ish-lojtarët profesionistë të cilët kanë luajtur të paktën 3 vite në Kategorinë “Abissnet Superiore” dhe 5 vite të aktivizuar në Kategorinë e Parë, e mund të regjistrohen në këtë kurs edhe nëse nuk janë të pajisur me licencën UEFA C.
Kursi për licencën e trajnerit UEFA B do të zhvillohet i ndarë në katër periudha, më konkretisht 8-13 janar 2024; 5-10 shkurt 2024; 4-9 mars 2024; 1-6 prill 2024.
Regjistrimet në kursin për licencimin e trajnerëve të rinj të nivelit UEFA B për zonën e Tiranës kanë nisur dhe afati për t’u bërë pjesë e tij është i vlefshëm deri të premten më 5 janar 2024.
Prandaj FSHF u bën thirrje të gjithë të interesuarve që të nxitojnë që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e edicionit të ri të kursit për trajnerë të nivelit UEFA B.
Për t’u regjistruar në këtë kurs të gjithë kandidatët e interesuar duhet të dërgojnë dokumentacionin si vijon:
Diploma e Shkollës së Mesme ;
Licenca Uefa-C – minimalisht aktive 6 muajt e fundit (trajner ose zv.trajner i një skuadre, vërtetim). (Kjo nuk vlen për personat që nuk janë ish lojtarë-profesionistë)
Aktivitetin që ju ushtroni ( vërtetim nga ekipi);
Fotokopje e ID ose e Pasaportës.
Numër kontakti
Drejtoria Teknike kërkon nga të gjithë të interesuarit që të dërgojnë në mënyrë elektronike informacionin e kërkuar përmes postës elektronike në adresën: [email protected], si edhe përmes postës së zakonshme me konfirmim marrje në adresën Rr. Liman Kaba, Nd 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë ose të dorëzohen fizikisht pranë Sekretarisë në të njëjtën adresë.
Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 05.01.2024. Aplikimet që mbërrijnë pas afatit nuk do të pranohen. Për çdo informacion në lidhje me renditjen, aspektet logjistike dhe organizative të Kursit, kontaktoni Sekretarinë e Shkollës tek adresa e postës elektronike: [email protected].