
Puna në Katedralen e Milanos për të organizuar masat e sigurisë për funeralin shtetëror të Silvio Berlusconit, të planifikuar për sot në orën 15:00, po vijon.
Milano po bëhet gati për t’i dhënë lamtumirën një prej personave më me ndikim në jetën politikë të Italisë. Sipas mediave italiane bëhet me dije se rreth dy mijë persona do të marrin pjesë në funeralin e Berlusconit. Të pranishëm do të jenë familja e ish-kryeministrit të cilët do të pozicionohen në anën e djathtë të Katedrales, ndërsa autoritetet në të majtë. Presidenti italian Sergio Mattarella, kryeministrja Giorgia Meloni, të paktën dhe 32 zyrtarë qeveritarë do të mbërrijnë në qytet me një fluturim shtetëror nga Linate. Të pranishëm do të jenë edhe krerët e shteteve të huaj, duke përfshirë hungarezin Viktor Orban.
Villa San Martino, rezidenca në Arcore e Silvio Berlusconit, liderit të Forza Italia që u nda nga jeta dy ditë më parë në moshën 86-vjeçare në spitalin San Raffaele në Milano, ishte sërish një destinacion pelegrinazhi ditën e djeshme për aq sa duan të bëjnë homazhe.
Lule, tabela, flamuj të Forza Italia dhe shalle të AC Milan, dhjetra dhurata dhe kujtime u lanë përpara vilës historike San Martino në Arcore. Një banderolë e madhe me fjalët Faleminderit përgjithmonë President”, u shfaq mëngjesin e sotëm në një gardh që kalon përgjatë vilës, i nënshkruar nga tifozët e kurbës së futbollit Monza.