Pas lajmit në media se drejtuesit e Kamzës kanë përjashtuar nga ekipi 3 futbollistë dhe trajnerin, vjen edhe reagimi i klubit.
Drejtuesit e klubit përgënjeshtrojnë gazetat e ditës së sotme dhe theksojnë se nuk ka shkarkim dhe as pezullime të trajnerit apo të lojtarëve.
Klubi ka reaguar përmes një njoftimi në faqen e tyre zyrtare në "Facebook".
"Reagim: Marrim shkas nga shkrimet e gazetave sportive të ditës së sotme, dhe jemi shumë të indinjuar nga këto shkrime dashakeqe për ekipin tonë.
Jemi të detyruar të ju informojmë se ato që janë shkruar në këto gazeta janë lajme të pavërteta dhe ekipi i "FK Kamzës" distancohet nga këto lajme.
Gjithashtu ju informojmë se nuk ka shkarkim të trajnerit e as pezullime lojtarësh dhe ekipi do të vazhdojë punën normalisht.
Kjo deklaratë jepet nga bordi drejtues pas mbledhjes së sotme bashkë me lojtarët", shkruhet në profilin e Kamzës në "Facebook".