
Ylli Hoxha u përfol që do të ishte pjesë e Flamurtarit edhe për një sezon, por kjo nuk ndodhi. Më pas për kosovarin u tha që ka arritur një akord me Besën e Pejës, por edhe këtë herë marrëveshja u prish në fund. Ditën e sotme mësohet që Hoxha ka vendosur të mbetet përsëri pjesë e Superiores dhe orët në vazhdim pritet të nënshkruajë për një skuadër.
Bëhet fjalë për Vllazninë e Shkodrës. Vetë lojtari ka pranuar që është në bisedime me shkodranët dhe detaje të vogla e ndajnë nga nënshkrimi i kontratës.
“Kam pasur kërkesë për të vazhduar në Vlorë, por nuk kam dashur. Kam pasur bisedime edhe me Besën e Pejës, por nuk kemi arritur akordin. Tani jam pranë marrëveshjes me Vëllazninë”, deklaroi Hoxha për mediat kosovare.
Mesfushori i majtë ishte ndër më të spikaturit e Flamurtarit sezonin e kaluar duke bërë disa paraqitje të mira. Hoxha e njeh mirë Superioren pasi më parë ka qenë pjesë e Kukësit.