
Pas marrëveshjes që ka përfunduar pak minuta më parë, është arritur në përfundimin, se Partizani do të mund të luajë në "Selman Stërmasi" dhe Tiranës do t’i shlyhen të gjitha borxhet nga ana e bashkisë. Për këtë të fundit do të hartohet një kalendar i posaçëm, që do të çojë në zgjidhjen e shlyerjen e borxheve nga ana e bashkisë.
Vetë kryebashkiaku Erion Veliaj ka konfirmuar këtë marrëveshje e cila lejon ekipin e Partizanit të luajë në stadiumin e Tiranës.
“Presidenti që ka përqindjen më të madhe të aksioneve të vendosë një kalendar për shlyerjen e borxheve. Do të paguhen të gjitha boxhet çdo muaj bazuar në një kalendar të posaçëm. Presidenti Halili përpiqet çdo ditë që të mbajë ekipin. Për 90 minuta lojë mund të harrojmë, por nuk mjafton vetëm kaq. Është më mirë që ato para që Partizani i paguan për ekipet e tjera, ti paguajë te Tirana. Likujdimi i pagesave të prapambetura do të bëhet shumë shpejt dhe ofrimi i ambjenteve për Partizanin. Këto dy lajme janë pozitive për të dyja ekipet. Duhet të kontrollojmë fushën për të parë kushtet e saj për të vlerësuar nëse është në kushte oplimale për tu luajtur takimet. Ajo që kemi për sot është një marrëveshje për të mirën e të gjithëve. Do ishte mirë që çdo klub të kishte stadiumin e vet, por kjo është e vështirë. Duhet të sillemi si familje e madhe. Duhet të zgjidhim problemet. Ka fituar Partizani pasi nuk duhet të udhëtojë jashtë Tiranës dhe Tirana njëkohësisht ka fituar shumë, pasi bashkia do t'i shlyejë të gjitha borxhet.