Kosova ka zhvilluar sot për herë të parë konferencë zyrtare përpara ndeshjeve eliminatore të Botërorit Rusi 2018. Skuadra kosovare do të ndeshet më 5 shtator me Finlandën, ndërsa sot ka bërë publike edhe listën e lojtarëve me të cilët ky ekip do të përfaqësohet.
Në konferencën për shtyp ka folur dhe kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, i cili nuk u kap në çështjet që kanë shqetësuar këto ditë Kosovën, por ai i uroi skuadrës suksese në këtë kompeticion. Ndër të tjera ai ka folur për Shqipërinë, ku i ka uruar sukses kombëtares kuqezi por edhe lojtarëve që kanë zgjedhur ta përfaqësojnë atë.
“I dëshirojmë shumë sukses Shqipërisë dhe lojtarëve tanë që luajë në kombëtare tjera pavarësisht vendimeve tyre dhe më së shumti i dëshiroj sukses shtabit teknik të Kosovës. Shpresoj që gjithë ata lojtarë që do të fitojnë të drejtën të luajnë, të na prezantojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Suksese”, është shprehur shkurtimisht presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës.