Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

VENDI

Kursi i fizioterapisë në modulin e dytë, Begolli: Rritet interesi për t’u bërë pjesë e mjekësisë sportive

Shkruar nga NEWSPORT
Kursi i fizioterapisë në modulin e dytë, Begolli: Rritet interesi

Kursi për formimin e fizioterapistëve i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit e që udhëhiqet nga Departamenti i Mjekësisë Sportive në FSHF, ka vijuar me modulin e dytë. Kursi ka nisur në janar dhe do të zhvillohet për disa muaj me radhë për t’u përmbyllur me provimet finale në muajin korrik 2023.

Lektorët kryesorë janë dy përfaqësuesit e Departamentit të Mjekësisë Sportive, Gianluca Stesina e Ilvi Begolli, ndërkohë që për çdo modul janë të ftuar lektorë të ndryshëm me një përvojë të pasur në fushën e fizioterapisë, nga vendi dhe bota.

Pjesëmarrësit në këtë kurs kanë mundësi të ndjekin e të thellojnë njohuritë e tyre mbi tema të ndryshme, që nga dëmtimet e gjurit, këmbës dhe legenit, te dëmtimet e gjymtyrëve të sipërm, kolonës lumbare, dëmtimet muskulare në sport e nutricioni sportiv, si edhe te përdorimi i terapisë strumentale (aparaturave) në patologji të ndryshme e ndihma e parë (urgjenca) BLSD dhe rianimimi kardio-pulmonar.

Në modulin e zhvilluar në janar është diskutuar për dëmtimet e gjurit ndërsa në këtë nivel të dytë janë trajtuar çështjet e dëmtimeve të këmbës dhe legenit.

Duke folur për fshf.org, Koordinatori i Departamentit të Mjekësisë në Federatën Shqiptare të Futbollit, Ilvi Begolli shpjegon se çfarë temash po trajtohen në këtë modul të dytë.

“Tematika e parë që ne diskutuam sot ishte sa i përket të gjitha problematikave që përfshijnë gjurin, traumatologjinë e gjurit, mjekësinë sportive, rehabilitimin. Ky është moduli i dytë ose niveli ku ne po përqendrohemi në problematikat e kaviljes dhe të koksofemoralit ose ankës. Është interesante sepse pak a shumë ne me këtë modul mbyllim pothuajse gjerësisht gjithë problemet e gjymtyrëve të poshtme që prekin sportistët dhe jo vetëm”, – thotë Ilvi Begolli, duke theksuar faktin se këtë herë ka pasur një interes shumë më të madh nga femrat, të cilat duan të angazhohen në fushën e mjekësisë sportive.

“Në këtë kurs ose në këtë vit kemi një pjesëmarrje më të madhe të profesionisteve femra, teksa krahasuar me vitin e kaluar ne kishim vetëm një vajzë pjesëmarrëse, ndërsa këtë vit kemi një pjesëmarrje shumë më të madhe të vajzave, të cilët duan të zhvillohen në fushën e mjekësisë sportive dhe në fushën e rehabilitimit. Ky është një kurs ku, pjesëmarrja nuk do të jetë vetëm e mjekëve apo profesionistëve shqiptarë, por do të jetë e ndërthurur me ekspertë nga Italia apo edhe vende të tjera, që ne do t’i kemi në vazhdim”, – theksoi ai.

Gjithashtu, Begolli shprehet se ekspertët e huaj do të ndajnë me kursantët eksperiencat e tyre në fushën e mjekësisë sportive dhe traumatologjisë.

“Do të flasin jo vetëm për pjesën e mjekësisë sportive, traumatologjisë, por ne në kurs kemi edhe teknika të osteopatisë sportive, teknika të rehabilitimit kardiopulmonar, pra të shpëtimit të jetës, që do të jenë mjekë urgjence, kemi mjekë sportivë të tjerë, të cilët do të japin eksperiencat e tyre që punojnë me ekipe kombëtare të Kroacisë, apo edhe më gjerë. Në përpiqemi të kompletojmë pikërisht këto tematika që janë pak si mungesë në fushën e mjekësisë sportive dhe ku stafet mjekësore nuk kanë shumë njohuri”, – tha Koordinatori i Departamentit të Mjekësisë Sportive në FSHF.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga