Atmosfera festive në sheshin “Skënderbej”, ku qindra qytetarë ishin mbledhur për të ndjekur finalen e Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës, u ndërpre për disa momente nga një konflikt fizik mes disa të rinjve.
Pamjet e publikuara nga JOQ Albania tregojnë përplasjen, e cila ndodhi ndërsa ndeshja po transmetohej në ekranin gjigant.
Nga videoja shihet se debati degradoi në shtyrje dhe goditje, ndërsa personat e pranishëm u përpoqën të largoheshin ose të ndërhynin për të qetësuar situatën. Ende nuk dihen rrethanat që çuan në konflikt dhe nuk është konfirmuar nëse ai lidhej me finalen apo kishte motive të tjera.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit për incidentin, ndërsa mbetet e paqartë nëse ka persona të lënduar apo të shoqëruar pas përleshjes.
