
Një ndeshje derbi ka gjithë presionin dhe emocionet e mundshme brenda. Sidomos një i tillë si ai i djeshmi mes Tiranës e Partizanit ku nuk luhej thjeshtë për prestigj por edhe për titullin kampion. Nuk është e çuditshme që protagonistët të përjetojnë emocione të cilat i bëjnë të krijojnë situata apo reagime të ndryshme. I tillë ishte edhe rasti i drejtorit të Tiranës, Tefik Osmani, në momentin e golit të Deliut.
Në festën e golit, kamerat kanë fokusuar edhe stolin e Tiranës ku shihej drejtori Osmani të festonte drejtuar tribunës kryesore dhe sipas pamjeve duket se ka thënë edhe disa fjalë më shumë seç duhej.
Zyrtari i FSHF, Pano Xhixho, i ftuar i përhershëm në emisionin Skaner të Gerti Çarçanit, ka reaguar për këtë rast duke kritikuar Osmanin.
“Kur Osmani të shikoj veten në transmetim do të ndihet në faj... Nuk është më futbollist, por drejtor. Pas golit, kur ta shikojë veten do të ndihet në faj pasi kamera e ka kapur duke sharë. Një drejtor i klubit të Tiranës nuk duhet të reagojë ashtu. Duhet të ruajë pozicionin që ka, ka të tjera përgjegjësi. Nuk duhet të dalë nga vetja në atë mënyrë. Nuk është normale ajo që ndodhi”, tha Xhixho.
Pas këtyre fjalëve, do të ishte vetë Osmani që do të ndërhynte me një sms në telefonin e moderatorit ku kërkon falje.
“Nuk e kam parë akoma çfarë kam bërë por u besoj miqve të cilët më kanë dërguar sms se kam gabuar. Kërkoj falje por ata që e kanë përjetuar derbin dhe luajnë futboll më kuptojnë. Edhe njëherë, kërkoj falje!”, reagonte Osmani.