Klubi i Dinamos doli me një reagim pak orë më parë lidhur me një sqarim sa i takon gjestit të mesfushorit Dejvi Bregu, i cili u spikat duke shfryrë drejt portierit të Vllaznisë.
Kryeqytetasit u justifikuan me faktin që pamjet nuk kanë dëshmuar realisht atë çfarë ka shfaqur në të vërtetë lojtari dhe se dinamovitët i qëndruan bindjes se Bregu është ndër lojtarët më korrektë të tyre, brenda dhe jashtë fushe.
Mirëpo, incidenti i mesfushorit mund të jetë më pak shqetësues për skuadrën e Ilir Dajës i cili i druhet një tjetër gjesti të bërë nga një tjetër lojtar i rëndësishëm i formacionit, siç është Bruno Dita.
Nga pamjet e kapura dhe të shpërndara nga faqet shkodrane, shihet mbrojtësi duke i treguar brrylin tifozëve miq, që cilësohet për këta të fundit dhe ofendim i hapur.
Në këtë mënyrë, Dinamo duhet të shqetësohet akoma më shumë nëse Disiplina zgjedhë t'i ndëshkojë, pasi të dy lojtarët do të rrezikonin seriozisht pezullimin dhe mungesën në ndeshjen e kthimit.
View this post on Instagram
