
Kukësi do të luajë ditën e sotme ndaj Tiranës një nga sfidat ë të rëndësishme të këtij sezoni. Skyudra e udhëhequr nga Bledar Devolli do të bëjë në “Air Albania” llogaritë e gjysmëfinales së dytë të Kupës së Shqipërisë.
Sfidë kjo që do të startojë në orën 18:00 dhe ku verilindorët vijnë si më të avantazhuar pasi kanë triumfuar në duelin e parë mes tyre me shifrat 2-0. Por futbolli ka plot surpriza dhe në Kukës janë të vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit dhe në fushën e lojës do të jenë “all-in”.
Në fakt verilindorët me në krye Devolin besojnë shumë te kalimi në finale, e cila do t’i çonte më afër trofeut të Kupës, që tashmë është kthyer në një objektiv. Nëse Kukësi arrin finalen është gati të “imitojë” bardheblutë e vitit 2017.
Në atë sezon kryeqytetasit do t’ia dilnin të fitonin Kupën e Shqipërisë dhe të merrnin pjesë në kompeticione europiane, ndërsa në kampionat situata ishte ndryshe. Viti 2017 është viti më i errët në historinë e Tiranës, pasi bardheblutë ranë në Kategorinë e Parë. Një histori që mund të përjetohet edhe nga Kukësi, me verilindorët që në kampionat vetëm mbijetesa i mban ende në lojë, pasi praktikisht janë të rënë në Kategorinë e Parë. Mbetet të shihet se si do të shkojë ky rrugëtim i verilindorëve deri në fund të këtij sezoni.