Dinamo ka fituar derbin përballë Tiranës, sfidë e vlefshme për çerekfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”, përfundoi 0-2 në favor të miqve. Pas këtij dueli ka folur trajneri i bardhebluve, Ardian Nuhiu.
“Padiskutim që ndihem mungesat pasi janë futbollistë të rëndësishëm për ne. Ky është maksimumi i skuadrës sonë. Na kufizoi shumë zëvendësimi i Basilio Ndong, i cili duhej zëvendësuar më parë, por shtrëngoi dhëmbët. Por e bëmë sepse na duhet për kampionat. Kjo paraqitje erdhe për mosfreski, këto forca kishim dhe i vumë në punë.
Rezervë për derbin me Partizanin? Në fakt, ndoshta ndërrimet e dy mesfushorëve u mundova që të freskoja ekipin. Gjithmonë duke menduar edhe ndeshjen në kampionat me Partizanin. U munduam që në mesfushë të kishim më tepër lojtarë, duke parë si luante kundërshtari, t’i mbyllnim të gjitha pikëpasimet dhe të kapnim kundërsulme. Ndong duhet të kishte kujdes tek Ismajli, por edhe daljen në kundërsulme, por ai u sforcua shumë pasi kishte paraqitur shqetësime, u mundua të ndihmonte ekipin me aq fuqi sa kishte.
Dy qendrat bashkë me mesfushorin e fundit, duhet të ndërronin pozicionet kur qarkullohet topi. Por Dinamo ka cilësi, na vendosën në vështirësi. Në aspektin difensiv ishim shumë të mirë të vendosur, në pjesën e parë nuk i lejuam. Por në pjesën e dytë bëri diferencë lojtari më kualitativ, Dejvi Bregu, si në golin e parë dhe të dytin. I dyti erdhi nga një gabim i yni.
Donim të shfrytëzonim Mihanën, për shkak të shpejtësisë. Ishim të detyruar pasi kishim mungesa dhe s’kishim mbrojtës tjetër për të mbyllur zonën aty dhe mendova se Mihana do të shfrytëzonte atë, por na u vështirësua kur doli Ndong. Mbrojtje me 4? Në fakt ia kërkuam dy sulmuesve tonë, që të kishin kujdes te treshja kundërshtare. Por kanë Bregun, Malomo, Guindo, lojtarë kualitativë që dinë të ruajnë topin, ashtu edhe Vila.
Në fakt ishim të detyruar në këtë formë. Po të kishim komplet skuadrën do të kishim folur ndryshe. Në momentin që përveç mungesave që kishim, kemi edhe futbollistë që s’janë në gjendje të mirë, janë bashkuar vonë me skuadrën. Është e vështirë për të dalë aty ku ti dëshiron. Na vjen keq, në Kupë s’jemi dorëzuar, por është rezultat pozitiv për kundërshtarin. Përqendrimi maksimal në kampionat dhe uroj që të na kthehen sa më shpejt futbollistët, kur kemi më tepër forca na ndihmojnë”, tha Nuhiu.
