Vllaznia do të luajë të mërkurën ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë përballë Dinamos në stadiumin “Air Albania”, e përcaktuar për t’u zhvilluar në orën 18:00.
Pas fitores në “Arena e Demave” me Partizanin në javën e 30-të të Abissnet Superiore, shkodranët vijnë të motivuar për një tjetër rezultat pozitiv në kryeqytet, ku i pret Dinamo që u fut po ashtu në garën e hapur të “Final Four” pasi mposhti 4-1 Elbasanin.
Kupa shihet me prioritet të madhë në Shkodër, kjo sepse kuqeblutë kërkojnë t’i marrin maksimumin këtij sezoni, përpos titullit në Abissnet Superiore, ndaj dhe “djemtë” e Edi Martinit shihen maksimalisht të përqëndruar për të dhënë më të mirën.
Dilemat e vetme të trajnerit shkodran janë dëmtimet e Melos Bajramit dhe Ardit Krymi të cilët janë ende në dyshim për të marrë pjesë ose jo në këtë përballje të rëndësishme. Dita e sotme pritet të jetë akoma më shumë përcaktuese për të kuptuar nëse dyshja do t’ia dalin të rikuperojnë në kohë për hapin e parë gjysmëfinal dhe për të ndihmuar skuadrën në arritjen e objektivit.
