
Tirana mbeti jashtë “Final – Four” pas përfundimit të kampionatit. Bardheblutë nuk ia dolën që në 36 javë kampionat të siguronin top-4, duke mbyllur kështu një sezon mjaft zhgënjyes.
Të ndodhur në vendin e 5-të në tabelën e Klasifikimit, Tirana tashmë ka një tjetër shans për të kapur Europën. Gjithçka varet nga finalja e Kupës së Shqipërisë. Kukësi dhe Egnatia do të sfidohen mes tyre dhe tashmë rrogozhinasit janë shpresa e vetme për kryeqytetasit.
Të gjithë tironsit do të bëjnë tifo ditën e sotme për Egnatian, në mënyrë që rrogozhinasit të fitojnë këtë trofe dhe ata të jenë pjesmarrës në Conference League. Kjo pasi Skën derbeu që ka përfunduar në vendin e 4-të në tabelën e klasifikimit është i dënuar të luajë në Europa edhe për 3 vite të tjera.
Në këtë kushte Tirana do të festonte bashkë me Egnatian, nëse këto të fundit do të triumfonin ndaj Kukësit. Gjithsesi për bardheblutë do të jetë orë ‘ankthi’ pasi do të presin fundin e 90-të minutave për të mësuar nëse do të jetë ata që do të kualifikohen në Europa apo Kukësi do t’i lërë “thatë” këtë vit. Kujtojmë se dueli mes Kukësit dhe Egnatias starton në orën 19:00.