Partizani do të presë në “Arenën e Demave” ditën e nesërme skuadrën e Elbasanit dhe mes tyre do të bëjnë llogaritë e çerekfinales së kthimit në Kupën e Shqipërisë. Dueli i parë mes tyre ka përfunduar në favorin e kryeqytetasve, të cilët do të tentojnë të menaxhojnë këtë avantazh për të siguruar edhe kualifikimin për në fazën tjetër të këtij turneu.
Oltijon Kërnaja ka folur në kofnerencën për shtyp për këtë takim. Timonieri i “Demave” ka theksuar se:
“Si duket gjendja e ekipit? Gjendja themi e mirë. Çunat janë stërvitur mirë këto dy ditë. Duke qenë se ndeshjet janë shumë afër me njëra-tjetrën, nuk është se kemi shumë kohë për të përgatitur ndeshjen. Në stërvitje janë dukur mirë, jemi munduar të rikuperojmë energjitë e humbura në ndeshjen e fundit. Shpresojmë t’ja kemi dalë sa më mirë.
A do të jenë të gjithë të gatshëm? Besoj se do jenë thuajse të gjithë të gatshëm. Të shohim sot në seancën e fundit të stërvitjes, mos kanë ndonjë shqetësim. Deri dje nuk kanë shfaqur asnjë shqetësim.
Si e shikoni ndeshjen e nesërme? Është një ndeshje shumë e vështirë. Rezultati i ndeshjes së parë na favorizon paksa, është e vështirë duke parë cilësinë e ekipit që kemi përballë. Elbasani di të sulmojë shumë. Duke parë rezultatin e ndeshjes së parë, është një ekip që do luajë gjithçka për gjithçka. Në këtë momente bëhet shumë i rrezikshëm sepse pjesën ofensive e ka shumë cilësore. Ne nuk do hymë për barazim sepse ashtu do rrezikojmë shumë. Ne duhet të sigurojmë ndeshjen, të shënojmë dhe fitojmë.
A do ia dalë Partizani në të dyja kompeticionet? Ne shikojmë ndeshjen e radhës, atë të nesërmen me Elbasanin. I gjithë fokusi është aty dhe besoj se do ia dalim.
Si e vlerësoni? Elbasani është një ekip pretendent këtë vit, është me pikë të barabarta me Egnatian në vend të tretë. Ka bërë kampionat shumë të mirë, pavarësisht barazimin në ndeshjen e fundit me Bylisin. Ka bërë kampionat jashtëzakonisht shumë të mirë, një ekip i fortë dhe cilësor, por edhe ne nuk mbetemi mbrapa. Ne jemi ekip i fortë dhe cilësor, në ndeshjet direkte jemi thuajse njëlloj. Besoj do jetë një ndeshje shumë e luftuar në të dyja kampet.
A do ketë rotacion? Ne nuk përdorim rotacion, ka ardhur natyrshëm. Nuk është se synojmë, por ka ardhur nga kartonat dhe dëmtimet. Janë ndërruar lojtarët dhe formacioni. Ka qenë mini-rotacion i natyrshëm, jo i ushtruar nga ne, por nga gjendja e lojtarëve. Nuk besoj se do ketë, por gjithsesi kushdo që do hyjë te ne jep maksimumin. Është parë në ndeshjen e fundit, të gjithë lojtarët janë njëlloj sepse te ne është grupi dhe jo individi”, ka theksuar timonieri i të kuqve.
