Giovanni Manson Ribeiro është sulmuesi më i ri i Ballkanit. Braziliani ka vendosur që të transferohet në Kosovë, për të nisur një aventurë të re me klubin nga Theranda.
22 vjeçari vjen pas aventurave në skuadra si Santos (Brazil), Ajax U21 (Holandë), Telstar (Holandë), Fluminese dhe Amazonas në Brazil. Gjithashtu, sulmuesi i krahut të majtë ka qenë pjesë e përfaqësueses së Brazilit U16.
Vlen të theksohet se vlera e lojtarit në "Transfermarkt" arrin në 900 mijë euro. Ndërsa lajmin për transferimin e brazilianit, e ka bërë të ditur vetë klubi i Ballkanit me anë të një postimi në rrjetet sociale.
"Tifozë të kampionit të Kosovës, a jeni gati për samba?
Direkt nga vendi i yjeve të futbollit botëror, skuadrës tonë i bashkohet super 22 vjeçari brazilian, Giovanni Manson Ribeiro.
Sulmuesi i majtë ka qenë reprezentues i Kombëtares së Brazilit për grupmoshat U-16, kurse karriera e tij është kultivuar në top klube, si Santos e Fluminese në Brazil, ndërsa në Evropë tek Akademia më e madhe në kontinent, Ajax.
Me kënaqësinë më të madhe ju njoftojmë se reparti ofanziv i FC Ballkanit, tashmë është përforcuar me kualitetin fantastik të brazilianit.
Ka mbetur edhe pak kohë, kur bashkarisht do të nisim marshimin drejt objektivave tona
Bem-vindo Giovanni!", shkruan Ballkani.
View this post on Instagram