
E ardhmja e Milot Rashicës është gjithmonë e më larg te Besiktas. Ndeshja me Shakhtar Donetsk i vuri vulën të ardhmes së sulmuesit shqiptar. Pritshmëritë ishin të larta te 29-vjeçari, por nuk ka arritur të tregojë versionin e tij më të mirë.
Në çdo top që prekte gjatë takimit të parë kundër klubit ukrainas në Europa Legue, tifozët e vërshëllejnin, tregues ky se ai është i padëshiruar. Në duelin e kthimit, Rashica nuk u fut në fushë për asnjë minutë. Thuhet nga mediat turke se bordi dhe trajneri Solskjaer janë të lodhur me anësorin shqiptar.
Gjasat që ai të respektojë kontratën me Besiktas deri në verën e vitit 2027 janë minimale dhe largimi është në “derë”. Kartoni i Rashicës vlen 6.5 milionë euro, ndërsa u transferua nga Norwich drejt Superligës turke për 5.25 milionë euro. Mbetet enigmë se cili do të jetë destinacioni i radhës për lojtarin e lindur në Vushtrri.