
Presidenti i FFK, Agim Ademi ka pritur sot kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Lidhjes Rajonale të Futbollit të Gjilanit, Armend Misini. Gjatë këtij takimi u diskutua rreth infrastrukturës sportive, që do të ndikonte në zhvillimin e futbollit në komunë.
Një nga temat e diskutimit ishte përmirësimi i infrastrukturës së stadiumit në të cilin aktualisht janë duke u zhvilluar ndeshjet në Gjilan dhe që do të krijonte kushte më të mira si për klubet, ashtu edhe për tifozët duke pasur parasysh se projekti i rindërtimit të stadiumit të qytetit është ende në proces prokurimi.
Z.Ademi e Hyseni biseduan për mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve për ndërtimin e një fushe të re, që do të shërbente për garat e klubeve dhe shkollave të këtij rajoni.
U diskutua edhe rreth punimeve finale në mënyrë që SC Gjilani dhe FC Drita të zhvendosen në komplekset e tyre të reja sportive, të cilat tashmë janë në proces të ndërtimit.
Presidenti Agim Ademi theksoi rëndësinë e avancimit të këtyre projekteve në këtë komunë me traditë të gjatë futbolli si dhe shprehu mbështetjen e tij të plotë dhe të Federatës së Kosovës për çdo iniciativë të Komunës së Gjilanit sa i përket përmirësimit të infrastrukturës.
