
Kombëtarja e Kosovës U19 ka nisur sot përgatitjet për ndeshjet kualifikuese të Grupit 10 për Kampionatin Europian 2025, që do të mbahen nga data 13 deri 19 nëntor në Kosovë, nën organizimin e FFK.
Sfidat do të zhvillohen në “Fadil Vokrri”, Prishtinë dhe “Zahir Pajaziti”, Podujevë. Përballë Kosovës do të jenë skuadrat e forta të Spanjës e Austrisë si dhe Ishujtë Faroe. Megjithatë, optimizmi për një paraqitje dinjitoze dhe rezultate pozitive është i dukshëm si në radhët e stafit teknik, ashtu edhe tek lojtarët.
Në seancën e parë stërvitore, të zhvilluar në Kampin Nacional në Hajvali, tekniku Adil Maliqi kishte në dispozicion të gjithë futbollistët. Ai shprehu besim të madh në skuadrën e tij, duke vlerësuar si gjeneratë të artë të lojtarëve, por vuri në pah edhe motivimin për të përfaqësuar Kosovën në shtëpi përballë publikut vendas. Ndeshjen e parë Dardanët U19 e zhvillojnë të mërkurën kundër Austrisë.
Deklarata pas stërvitjes:
“Atmosfera është shumë e mirë. Të gjithë djemtë kanë ardhur shëndoshë e mirë pa lëndime. Cilësia që kemi është shumë e lartë. Kundërshtarët në grup janë goxha të vështirë, por as ne nuk jemi kundërshtar i lehtë, andaj na presin tri ndeshje shumë të mira dhe jam i bindur që do të triumfojë në fund. Motivimi tek lojtarët është absolut për ta prezantuar atdheun para publikut të vet dhe jam i bindur se ata tifozë që vijnë do të jenë lojtari ynë i 12-të dhe do të na japin një shtysë pozitive, e të cilën mund t’ua kthejmë me performancë në fushë.
I vlerësoj kundërshtarët shumë pavarësisht se për kë bëhet fjalë, sepse çdo kombëtare i mbledh futbollistët e saj më të mirë, por ne e kemi një cilësi të hatashme dhe pres shumë nga këta djem. Të gjithë premtojnë shumë, të gjithë janë me kontrata profesioniste në klubet e tyre dhe na pret më të vërtetë një gjeneratë e artë. Besoj se me këtë ekip do ta gëzojmë popullin tonë.
Jemi shumë më të fortë se vitin e kaluar. Jo që dua t’i nënçmojë djemtë e gjeneratës 2005, por kjo gjeneratë është më e përpunuar, më specifike dhe gjysmën e djemve i kam pasur edhe vjet dhe ata janë pjekur dhe do të na shërbejnë shumë me eksperiencën e fituar nga viti i kaluar.", u shpreh Adil Maliqi.