
Dion Gallapeni po mahnit me paraqitjet e tij te Kosova. Në fushën e lojës po luan si një lider i vërtetë, duke fituar kështu edhe “zemrat” e tifozëve.
Mbrojtësi ndaj Suedisë në transfertë ishte thjeshtë i jashtëzakonshëm. Në prapavijë tregonte qetësi, siguri, pjekurinë e një veteranui sa herë që prekte topin.
E pikërisht në Gotebord ishte një mur i vërtetë para portës. Gallapeni ka folur pas trimfit të Kosovës 1-0 ndaj suedesve, ku ka theksuar se me Kosovën dëshiron shumë të përjetojë emocionet e kualifikimit në Kupën e Botës.
“Nëse them se kemi pritur tre pikë kundër Suedisë si mysafirë, nuk do të isha real duke parë se çfarë lojtarë ka Suedia në futbollin evropian. Këto tre pikë e them pa modesti se dëshmuan që grupi është më i rëndësishëm se sa individët në një ekip. Grupi që kemi ne është i jashtëzakonshem me lojtarë shumë cilësorë e të motivuar maksimalisht për suksese. Këto tre pikë besoj që na kanë dhënë sinjalin që asgjë nuk është e pamundur dhe ëndrra për në Botëror mund të jetësohet, nëse jemi të bashkuar dhe luftojmë për të bërë krenar të gjithë popullin e Kosovës.
Ndihem shumë mirë dhe jashtëzakonisht i lumtur për këtë fitore. Të them të drejtën, në ndeshjen e parë kundër Suedisë pata emocione, pasi po përballeshim me lojtarë që janë ndër më të mirët në futbollin evropian. Por, kur në ‘Fadil Vokrri’ pamë se mund t’ia dilnim ndaj tyre, gjithçka ndryshoi. Ndeshja e djeshme u zhvillua pa emocione apo frikë, por me besim dhe motivim si asnjëherë më parë. Ata mund të kenë individët, por tek ne mbizotëron grupi.
Për mua, është me të vërtetë një krenari të mbajë fanellën e Kosovës, të përfaqësoj vendin tim dhe të jem pjesë e këtyre sukseseve. Jam shumë i lumtur, fillimisht për besimin dhe mundësinë që më është dhënë, dhe besoj se e kam arsyetuar besimin e trajnerit në këto katër ndeshje të deritanishme. Shpresoj dhe besoj që do të kem vazhdimësi.Jemi me fat që kemi një tifozëri të jashtëzakonshme, e cila na mbështet kudo që luajmë. Kjo u dëshmua edhe në ndeshjen e fundit, me praninë e madhe të tyre. Prezenca e tyre është motivimi më i madh për ne lojtarët, pasi nuk përfaqësojmë vetëm veten, por edhe zemrat e tyre. I falënderoj për mbështetjen dhe besimin që kanë te ne dhe besoj se do t’i arrijmë sukseset që ata presin prej nesh.
Forca Kosova, forca Dardanët dhe forca të gjithë shqiptarët që na mbështesin anembanë botës! Kosova është një obligim shpirtëror, dhe ne po e përfaqësojmë atë denjësisht”, ka përfunduar talenti i “Dardanëve” për "GazetaBlic Sport".
Siç dihet, Kosova mban vendin e dytë në grupin B me 7 pikë pas 4 ndeshjes, ndërsa ka 3 pikë më pak se Zvicra që kryeson dhe 4 pikë më shumë se Sllovenia e vendit të 3-të. ndërkohë Suedia mbyll klasifikimin me 1 pikë.