
Vedat Muriqi u shpreh i lumtur për 3 pikët dhe për energjinë që djemtë e rinj po sjellin në grup. Për sulmuesin e La Liga-s më shumë rëndësi ka formimi dhe rritja e grupit sesa rezultati.
“Bomberi” i Kosovës theksoi se nuk ishte dita e tij më e mirë përballë qendërmbrojtësave të gjatë lituanez dhe ka kritika mbi ngjarjet e Bukureshtit.
“E nisëm shumë mirë. Fatkeqësisht doli kartoni i kuq nga një rast. Na u desh të mbroheshim dhe të sulmojmë me topa të gjatë vetëm. Fituam dhe kjo na kënaq.
Jam i gjatë dhe i fuqishëm dhe nuk e kisha problem ndaj lituanezëve. Kishte topa që mund të isha në avantazh ndaj qendërmbrojtësave. Mirëpo, sot nuk ishte dita ime. Jam i lumtur për të gjithë grupin. Po e rritim kualitetin e skuadrës.
Nuk pajtohem me çfarë ndodhi në Bukuresht. Ia nisëm keq me humbjen në Rumaninë. Nëse do ia kishim dalë pa episode me Rumaninë, nuk i dihet se çfarë do të kishte ndodhur tani. Gjithsesi, siç e theksova i kënaqur për ekipin dhe talentet e reja që po na bashkohen.”, u shpreh Muriqi.