
Rita Vehapi do të jetë gjyqtare në ndeshjen e Evropianit të vajzave, Greqi – Ishujt Faroe. Një fakt i çuditshëm sepse tashmë dihet që Kosova ende nuk është njohur nga Greqia. Megjithatë potenciali dhe cilësia në arbitrim është e njëtrajtshme me europianët.
UEFA është institucioni që nuk bën dallime dhe unifikon gjithë shtetet për sportin më të bukur në botë, futbollin. E kësisoj, Rita Vehapi, Lumturije Muhadri dhe Rinesa Kryeziu janë gjyqtaret që do të vënë drejtësi në këtë takim.
Lajmin e ka bërë me dije Federata e Futbollit të Kosovës që përmes një njoftimi në kanalin zyrtar shkruante:
“Federata e Futbollit e Kosovës - Football Federation of Kosova
Gjyqtaret e Kosovës ndajnë drejtësinë në ndeshjen kualifikuese për Evropianin e vajzave
UEFA i ka besuar gjykimin e ndeshjes Greqi - Ishujt Faroe, gjyqtares kryesore nga Kosova, Rita Vehapi dhe asistenteve Lumturije Muhadri e Rinesa Kryeziu. Ndërkaq, gjyqtare e katërt do të jetë Festina Koxha.
Katërshja e gjyqtareve nga Kosova do të drejtojnë ndeshjen kualifikuese për Evropianin e vajzave në Ligën C, Grupi C3, ndërmjet Greqisë dhe Ishujve Faroe, që zhvillohet më 5 prill në Greqi, në orën 19:00.
Kjo është herë e treta që gjyqtaret nga Kosova ndajnë drejtësinë në një ndeshje të këtij niveli.
Suksesi i tyre është një dëshmi e fokusit të vazhdueshëm në zhvillimin e futbollit të femrave në vendin tonë, duke ndihmuar në afirmimin e vlerave të sportit dhe përkushtimit.
Suksese për gjyqtaret tona në drejtimin e kësaj ndeshjeje!”