
Si çdo javë, edhe në këtë xhiro të futbollit në Superligën e Kosovës është zgjedhur Lojtari më i Mirë i Javës. Këtë zgjedhje e kryen FFK së bashku me sposnsorin kryesor të ligës elitare të futbollit në Kosovë, AlbiMall. Për javën e 10-të ky çmim prestigjoz i ka takuar Robert Rrahmanit.
Futbollisti aktivizohet në radhët e Gjilanit, ekip që fitoi kundër Llapit që është një nga klubet më cilësorë në Kosovë. Rrahmani qe vendimtar në përmbysjen e rezultatit pasi shënoi gol në fitoren e gjilanasve 2-1. “Ylli i Javës” ndërmori aksione sulmuese të rrezikshme dhe ishte një problem gjatë gjithë takimit për mbrojtjen kundërshtare.
Pasi u laureua me trofeun e çmimit të fituar, Roberti u shpreh i gëzuar dhe i lumtur për vlerësimin maksimal nga Federata e Futbollit të Kosovës. Në prenoncimin zyrtar ai theksoi se pa lojtarët e tjerë të skuadrës kjo paraqitje individuale nuk do ishte arritur.
"Kemi besuar që këtë ndeshje do ta fitojmë, ndonëse ishim në disavantazh. Trajneri na ka motivuar shumë. Renditja tabelare nuk është realiteti i ekipit tone. Organizimi i klubit dhe seancat stërvitore janë në perfekcion dhe presim që ta gjejmë lojën tonë. Falënderoj komisionin për vlerësimin, si dhe stafin teknik dhe bashkëlojtaret, sepse pa ta ky çmim nuk do të ishte i mundur.", u shpreh futbollisti Rrahmani i Gjilanit.