
Sot 6 vite më parë, legjenda e futbollit dardan, nismëtari i misionit “Futboll për Kosovën” dhe ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë.
Njeriu që i dha ‘pavarësinë’ futbollit të Kosovës nuk mund të harrohet kurrë. Vepra e tij është kolosale si gjatë karrierës në fushën e lojës, ashtu edhe në atë me ‘kollare’. Fadil Vokrri është babai i futbollit kosovar.
Mesazhet për të janë të pafundme dhe nuk mund të mungonte një nga Armand Duka, presidenti i FSHF-së.
“Gjashtë vite më parë humbëm mikun, legjendën e futbollit Fadil Vokrrin
Fadil Vokrri ishte figura kyçe e futbollit në Kosovë, një miku im i veçantë. Gjatë këtyre viteve të gjithë e kemi ndjerë shumë mungesën e tij, në futboll, shoqëri e kudo.
Nëse sot do ishte mes nesh, ai do ishte shumë i lumtur ta shihte Kombëtaren shqiptare në Europian. Ne e përkujtojmë Fadil Vokrrin çdo ditë dhe të gjithë do japin më të mirën në fushë edhe për të.
Si një legjendë, Fadil Vokrri dhe vepra e tij nuk do të harrohen kurrë. Sot FFK është në UEFA e FIFA dhe merita kryesore i takon pikërisht Fadil Vokrrit, i cili hapi dyert për zhvillimin e futbollit në Kosovë”, shkruan Duka.