Në prag të ndeshjes me Turqinë, e cila do “vulos” fatet për “Dardanët”, nëse do jenë në Kupën e Botës ose jo, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka zgjedhur të “karikojë” përfaqësuesen në ndeshjen që mund të rezultojë historike.
“Kualifikimi në Kupën e Botës është hap i jashtëzakonshëm për Kosovën si shtet. 6 ndeshje rresht pa humbje në rrugëtimin drejt kualifikimit.
Finalja e së martës është më shumë se e merituar. Djemtë tanë kanë punuar fort, kanë qëndruar të bashkuar dhe kanë luajtur me zemër në çdo ndeshje, brenda e jashtë vendit.
Turqia është ekip i mirë. Por edhe ata e kanë një kundërshtar shumë të fortë. Kjo ishte energjia të cilën e pashë sonte gjatë takimit me përfaqësuesen tonë.
Besimi është aty. Besoni në veten tuaj, ashtu siç besojmë secili prej nesh, në secilin prej jush. Dilni në fushë dhe bëni atë që dini të bëni më së miri, të luani me zemër për Kosovën. Luani lirshëm. Luftoni për njëri-tjetrin dhe jepni maksimumin në çdo minutë të lojës.
Faleminderit të gjithë lojëtarëve, trajnerit Foda dhe të gjithë stafit udhëheqës e mbështetës për angazhimin dhe rezultatin e deritanishëm. Tani është momenti që të gjithë ne të qëndrojmë fuqishëm pas tyre, nga çdo cep i botës, kudo që jemi. Na priftë e mbara!” mesazhi i Albin Kurtit. Ndeshja Kosovë – Turqi do të mbahet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”, Prishtinë.
