
Një nga ngjarjet më të përfolura ditët e fundit është dhunave e policëve serbë, ndaj stafit të klubit shqiptar KF Tërnoci, e cila militon në ligën serbe të futbollit. Ndeshja përballë Mladostit vendas, të cilët po udhëhiqnin 2-1, u ndërpre në minutën e 88’. Policët “mësynë” në fushën e lojës, e më pas në dhomat e zhveshjes, duke goditur një nga futbollistët shqiptarë, Veton Zeqirin.
Është pikërisht “viktima” e dhunës policore serbe, ai që ka folur së fundmi në një prononcim ekskluziv të dhënë për “Newsport.al”. Zeqiri thotë se gjithçka erdhi pas dyshimeve të policisë serbe, ku sipas tyre lojtari i Tërnocit që u ndëshkua me karton të kuq, kishte në çantë mjete të forta. Ndër të tjera, Zeqiri thotë se kjo nuk është hera e parë që keqtrajtohen në mënyrë të tillë, duke treguar se klubi i Tërnocit është ankuar në organet e larta shtetërore dhe në Federatën Serbe të Futbollit, por ende nuk kanë marrë përgjigje.
“Kjo ngjarje filloi sepse sigurimi i stadiumit në ndeshjes, pretendoi se lojtari ynë që u ndëshkua me karton të kuq, kishte në çantën e tij një mjet të fortë. Sipas tyre ai ishte gati të goditse ndonjë pjesëtar të klubit kundërshtar, apo ndonjë lojtar të tyre. Unë isha lojtari që u godita, sepse isha lojtari i parë që isha afër policisë. Ndalova policin për ta pyetur pse po futej në fushë, pasi ne e dimë rregulloren që policia nuk ka të drejtë të futet në fushë pa thirrjen e delegatit. Polici nuk më tha asnjë përgjigje, vetëm më goditi në pjesën e fytyrës.
Tentoi përsëri që të më godiste, por e pa që një shok i skuadrës kishte telefonin në dorë për të bërë video. Më pas ai polic doli nga fusha dhe nuk u pa më asgjëkundi. Dhe në fund policia hyri na kontrolloi sikur ne të ishim kriminelë apo huliganë. Pas të gjithë kontrolleve rezultoi që ne nuk kishim mjete të forta, siç pretendonin ata. Klubi jonë tashmë është ankuar në organet më të larta të shtetit, po ashtu edhe në Federatën e Futbollit të Serbisë, ku garojmë ne si ekip. Deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje, presim ta marrim sa më shpejt. Nuk kemi frikë për ripërsëritje të këtyre ngjarjeve, sepse jemi mësuar të kemi këto keqtrajtime nga të gjitha ekipet kundërshtare, që luajnë jashtë vendit tonë.
Po kërkojmë që të kemi më shumë siguri, mos të ndodhë që policia të futet në fushën e lojës. Hapat që janë ndërmarrë deri tani nga klubi i Tërnocit, janë ato që thashë, jemi ankuar në të gjitha organet e shtetit, Federatë, por nuk është se po marrim përgjigje pozitive, pasi kjo nuk është hera e parë që po na ndodhin kështu ngjarjesh. Dua ta mbyll me një përshëndetje për gjithë shqiptarët që janë kudo në botë, Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, në të gjithë botën që po na mbështesin në këto momente të vështira të klubit tonë”, është shprehur Veton Zeqiri për Newsport.al. /Nikoll RAJTA/
Pamje nga incidenti
Pamje nga incidenti