
Korabi do të luajë përballë Vorës ditën e shtunë ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të të Kategorisë së Parë. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Korabi” do të startojë në orën 13:30.
Dibranët vijnë në këtë sfidë për të marrë 3 pikët dhe për të qenë në gjashtë ekipet e para që shpresojnë për objektivin “Superiore”, ndërsa Vora kërkon fitoren që të afrohet sa më shumë me Elbasanin dhe Bylisin.
Por pavarësisht se Vora është më lart në renditje me plot 10 pikë diferencë nga Korabi, e shkuara mes këtyre dy ekipeve në Kategorinë e Parë flet për dibranët. Në 5 ndeshje të zhvilluara mes këtyre dy ekipeve në Kategorinë e Parë, Korabi ka fituar 3, një ka përfunduar në barazim ndërsa vetëm 1 është fitore për Vorën.
Statistika këto që ndoshta nuk ndikojnë në sfidën e radhës, por mbeten një motiv më shumë për të besuarit e Shpendi Kumbarçes që kërkon të rikthejë dibranët në elitën e futbollit shqiptar.