
Nga Përparim KABO
Pak fjalë pse mbërritëm këtu me futbollin... Është krijuar një ligë e futbollit shqiptar, e cila ka nisur një kërkesë me 4 pika drejtuar qeverisë dhe në mënyrë ultimative, thotë se nuk po i plotësove, ne bojkotojmë kampionatin. Pikat kërkojnë në thelb lehtësime fiskale, çfarë nënkupton se ata që drejtojnë këta ekipe të Superligës, nuk janë mirë monetarisht. Pse mbërritëm këtu? Më saktë a do të mbërrinim këtu? Sigurisht që po. Prej vitesh ku me zë të ulët e ku me zë të lartë është se financimi i ekipeve është i dyshimtë. Madje dikush apo disa guxuan se ka financim me para informale të evazionit fiskal e deri te ato kriminale. FEDERATA E FUTBOLLIT... Heshti, mbylli sytë, veshët dhe gojën.
Pranoi gjendjen e lejoi gjendjen, u bë bashkëpunëtore me të direkt ose indirekt. Federata bazuar te parimi i drejtë i olimpizmit sportiv, deklaroi neutralitetin politik të sportit dhe hapur ka ngritur zërin, jashtë duart politika nga futbolli. Disa ministra kulture dhe të sportit kanë tentuar të kontrollojnë si punohet, si sillen me fondet, si ndërtohen pagesat dhe detyrimet ligjore, por Federata ka mbyllur derën. Lexoni librin e gazetarit Fatmir Mëneri, atje do gjeni shumë fakte. Por, kjo gjendje nuk mund të vijonte pafund. Rruga e zhvillimit të futbollit u kërkua të ishte privatizimi i klubeve financimi nga privatet. U nis kjo udhë por jo kudo shkoi mbarazi diku e diku jo, ose u realizua përgjysmë. Bashkitë mbeten donatoret kryesore të financimit. Pra futbolli hyri në treg me blerje dhe shitje, investime dhe pagesa tregu. Lindi ashtu disi e përçudnuar ekonomia e tregut të futbollit.
Ai që investon, merr përsipër dhe fitimin apo riskun. Futbollistët, trajnerët dhe stafet paguhen sipas mundësive financiare dhe kontributit të vlerës me disa mijëra euro në muaj. Ky është një shpenzim i madh që kërkon burime të vazhdueshme monetare që zor se vijnë nga vetë futbolli. Kudo në botë, ata që e financojnë futbollin, kanë biznese të tjera. Të gjithë paguajnë taksat dhe detyrimet fiskale, madje evazioni shpuri në burg presidentin e Bayern Munchen. Tani çështja shtrohet: Ose sport profesionist dhe pjesë e ekonomisë së tregut me të gjitha detyrimet fiskale ose sport amator që financohet nga shteti. Ligji për sponsorizimin në sport u aprovua, por nuk ka gjetur zbatim. Mund të ketë edhe defekte, por një gjë është kryesore. Tregu ynë është shumë i vogël që sponsorizimi të ketë interes e të rrisë publicitetin e vet falë futbollit.
Bizneset e fuqishme si bankat, minierat, hidrokarburet, sigurimet i kanë të tepërta të ardhurat, pse të hedhin para për futbollin sportin? Ah nëse shteti u thotë nuk ta jap këtë koncesion nëse për 30 apo 50 vite nuk investon kaq përqind në shkencë, kulturë dhe sport. Kjo nuk ndodh. Ku jemi? Formalizimi fiskal i bizneseve nuk lë më vend për punë të zeza. Kështu gjendja u shtrëngua dhe paratë mungojnë. Duhen ulur pagat dhe shpenzimet. FEDERATA duhet të paraqisë planinë e saj, për shembull pse nuk shpall që në stadium "Air Albania" tarifat shkojnë për shembull 10 përqind të vlerës nuk po them 0. Pra ulja e shpenzimeve është në favor të klubeve.
Futbollistët, makinat i duan luksoze, telefonat, rrobat, shtëpitë dhe pushimet, po detyrime tatimore mos i paguajnë? Madje dëgjova se ne shkuam në Europian dhe dhuruam emocion. Po ekipi na bëri krenar, por mbi 90 përqind të tyre as që luajnë në kampionatin kombëtar ku ka nisur bojkoti. Po ashtu ne Europian, shkuan shumë ekipe që u kualifikuan, por lojtarët e tyre paguajnë detyrimet fiskale. Në raste fitoresh apo kapje objektivash, ka bonuse monetare të cilët nuk kanë munguar edhe te ne. Futbolli është një e mirë publike, por të ardhurat janë private për ata që investojnë dhe punësohen atje. Ata mbajnë edhe fitimin, por edhe humbjen. Ja përse analiza duhet e thellë shumëdimensionale sepse në zyrat e sportit ka zënë vend myku, inkompetenca dhe korrupsioni. Federata e Futbollit zyrat i ka të reja dhe luksoze, por mendësinë e ka të vjetër, të pazotin dhe të tejkaluar. Ndryshimi duhet të nisë atje...