 
Fatos Nano një nga figurat më të njohura të politikës shqiptare dhe themeluesi i Partisë Socialiste të Shqipërisë është ndarë nga jeta mesditën e sotme.
Prej kohësh, Nano vuante nga probleme të rënda shëndetësore, ndërsa ditët e fundit gjendja e tij ishte përkeqësuar ndjeshëm, duke i shkaktuar vështirësi në frymëmarrje. Ish-kryeministri ndërroi jetë në moshën 73-vjeçare.
Pikërisht për ndarjen nga jeta të ish kryeministrit të Shqipërisë, ka reaguar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Duka e cilëson Nanon si një zotëri, teksa thekson se “iku shumë herët”.
REAGIMI:
Fatos Nano u largua nga kjo jetë siç jetoi gjithmonë, me dinjitet dhe si një zotëri i vërtetë.
Ishte zotëri në çdo rrethanë, si kur drejtonte vendin si Kryeministër, ashtu edhe kur ishte thjesht një qytetar mes nesh.
Tosi do të më mungojë shumë. Si mik, si politikan, por mbi të gjitha si njeri. Ai që e ka njohur nga afër e di se ishte unik, i veçantë dhe i pazëvendësueshëm.
Prehu në paqe Tos Nano. Sa keq që ike kaq herët!
 
                                 
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                       
 
                			                        
                			                        
                			                       