Kombëtarja e vajzave U-16 për vajza ka nisur grumbullimin në kuadërtë përgatitjeve për turneun “UEFA Development” për këtë grupmoshë që zhvillohet në vendin tonë në datat 7-12 mars dhe në një grup me Shqipërinë janë Kosova, Andorra e Moldavia.
Kombëtarja e vajzave U-16 nën drejtimin e trajnerit Agustin Kola është grumbulluar në Durrës, ndërsa 22 lojtaret e ftuara për këtë turne janë në dispozicion të stafit teknik me pjesën më të madhe që aktivizohen në kampionatin vendas U-16 për vajza dhe vetëm katër prej tyre vijnë nga jashtë.
Pjesë e këtij grumbullimi është edhe mbrojtësja e Laçit, Klevisa Ndoci, e cila shprehet e emocionuar për këtë mundësi që i është dhënë dhe uron të bëjë më të mirën për të marrë vetëm rezultate pozitive në këtë turne më skuadrën kuqezi.
“Jam Klevisa Ndoci, vij nga ekipi i Laçit. Jam shumë e kënaqur që jam pjesë e ekipit Kombëtar, nuk është hera e parë për mua, por sa herë që vij këtu është një emocion më vete dhe shumë i bukur. Kur stërvitemi me vajzat është diçka shumë e bukur, argëtohemi shumë bashkë duke luajtur futboll, atmosferë shumë pozitive. Unë kam luajtur edhe në ndeshje të tjera dhe mendoj që i kemi cilësitë e duhura.
Do të luajmë ndaj Moldavisë, Kosovës e Andorrës dhe besoj që do t’ia dalim mbanë, duke marrë rezultate pozitive. Jam shumë e lidhur me futbollin, kam gati 10 vjet që luaj futboll dhe objektivi im është që të vazhdoj karrierën me futbollin. E kam shumë pasion dhe duam të bëhem futbollistja më e mirë në Shqipëri. Kam besim se me shumë sakrifica mund t’ia arrij qëllimit, duke arritur të jem pjesë e ekipit Kombëtar A të vajzave”, – thotë Ndoci për Fshf.org.
Edhe mesfushorja e Tiranës, Gledia Kodra, është e emocionuar për këtë ftesën, ndërsa beson se me shumë mund dhe sakrifica mund t’ia dalë mbanë që të bëjë një karrierë të rëndësishme si futbolliste.
“Unë luaj me ekipin e Tiranës, ftesën e Kombëtares e prita me shumë emocion dhe e ndava lajmin menjëherë me babain, i cili gjithashtu u ndje shumë i lumtur. Ai ka dashur shumë që unë të kisha mundësinë për të qenë pjesë e ekipeve kombëtare. Synimi im që është arrij të bëhem një futbolliste e rëndësishme, shpresoj që përmes punës dhe sakrificave të arrij të arrij deri në Kombëtaren A. Kemi disa ndeshje të vështira përpara, por me shumë punë mund të marrim rezultate pozitive”, – thotë Gledia Kodra.
Sfida e parë e Shqipërisë së vajzave do të jetë ajo ndaj Moldavisë më 7 mars, në ora 14:30, ndërsa më 9 mars do të luajnë përballë Kosovës në po të njëjtën orë. Ndeshja e tretë dhe e fundit e këtij turneu zhvillimor, është ajo ndaj Andorrës, në ora 09:30.