Në Korçë po veprojnë me strategji të mirëmenduar sa i përket merkatos dhe lojtarëve që kanë perspektivë për të ardhmen. Edhe pse kanë moshë fare të re, ata po kthehen në lojtarë të dobishëm të formacionit bardhekuq.
[caption id="attachment_6071" align="alignleft" width="300"] Argjent Mustafa, kosovari që iu bashkua Skënderbeut pak ditë më parë[/caption]
Kujtojmë që Bernard Berisha iu bashkua korçarëve dhe tregoi vlerat e tij, duke arritur që të shitet për 600 mijë euro te Anzhi në Rusi. Leonit Abazi, Liridon Latifi dhe Bajram Jashanica po arrijnë kulmin duke u bërë të pazëvendësueshëm në formacionin e korçarëve.
Por, gjatë ditëve të para të merkatos së verës, te Skënderbeu janë afruar edhe katër emra të tjerë, lojtarë që premtojnë për të ardhmen. Lojtari i linjës së majtë, Argjend Malaj, i cili më parë ka luajtur për Tiranën. Ndërsa në mesfushë korçarët kanë bindur Enis Gavazajn, si një nga talentet e së ardhmes jo vetëm për Skënderbeun, por edhe për Kombëtaren, pasi është pjesë e ekipit Shpresa.
Pritet që të shfaqin vlerat e tyre Shend Kelmendi dhe Argjent Mustafa, futbollistë që nuk njihen shumë në kampionatin tonë, por që në Kosovë janë të vlerësuar. Në total, futbollistët kosovarë tashmë janë xhevahire për ekipin korçar, i cili ka një strategji për ta, duke vendosur që të investojë në vendin e duhur në këtë periudhë.