
Është luajtur dje në Cërrik sfida e vlefshme për Kategorinë e Dytë mes Turbinës dhe Orikut. Në këtë përballje fitoren e ka marrë klubi bregdetar falë golit të parë të Raboshtës.
Jasmin Raboshta u transferua në këtë merkato tek blutë si një përforcim mjaft i rëndësishëm për shkak të eksperiencës që gëzon në futbollin shqiptar. Sulmuesi ka treguar vlerat menjëherë dhe se do të jetë pika kyçe në shënimin e golave për ekipin nga qyteti i Orikumit. Ish-sulmuesi i Vorës ka gjetur rrjetën për herë të parë me klubin e ri, që në ndeshjen e dytë që aktivizohet me ta.
34 vjeçari realizoi nga pika e bardhë në takimin e ditës së diel, në minutën e 66-të. Kështu, Jasmini i dha avantazhin miqve si dhe fitoren në fund me shifrat minimale 0-1. Tifozët e paktë që kishin udhëtuar për në “Nexhip Trungu” iu gëzuan golit të parë të goditjes së merkatos, i cili festoi së bashku me pankinën këtë hap të ri në karrierë.
Falë golit të Jasmin Raboshtës, Oriku ruan diferencën e pakët prej 2 pikësh me kryesuesit e Luftëtarit që fituan me shifra tenistike 6-1 ndaj Maliqit. Orikumasit shpresojnë në vazhdimësinë e rezultateve për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë, që është një objektiv i realizueshmë pas transferimeve të bujshme të kryera këtë sesion merkatoje.
Goli i Raboshtës