
Sopoti po përgatitet për sezonin e ri në Kategorinë e Dytë. Klubi librazhdiot pati shumë ndryshime, ku kryesorja ishte në pankinë, duke ëmeruar trajner të ekipit Rraman Hallaçin.
Ndërkohë që së fundmi, klubi nga Librazhdi po përflitet për probleme të shumta. Problemet që aludohen janë rrogat e lojtarëve, sidomos të atyre që vijnë nga jashtë. Për këta të fundit përflitet se janë lënë pa paga.
Megjithatë, në lidhje me këtë situatë dhe këto aludime, për “Newsport.al” ka folur drejtori sportiv i Librazhdit, Fatjon Xhafa. Zyrtari i klubit të Kategorisë së Dytë sqaron gjithë situatën, duke përgënjeshtruar e hedhur poshtë problemin e pagave.
“Nuk është aspak e vërtetë që në ekipin tonë ka probleme me pagat. Madje mund të them me plot bindje që ekipi i Sopotit është ndër më modelët përsa i përket korrektësisë. Madje Sopoti duhet pasur zili edhe nga klube të niveleve më të larta. Një falënderim të veçantë për këtë, merr kryetari i Bashkisë, Mariglen Disha dhe administratori Agron Gega, të cilët i kanë qëndruar ekipin pranë në çdo moment.
Dhe për lojtarët e huaj çdo gjë është në rregull. Ata janë akomoduar në qytetin e Librazhdit në kushte shumë të mira. Madje për këtë mund t’i pyesni dhe vetë. Ekipi vazhdon me intensitet përgatitjet në qytetin e Elbasanit nën urdhrat e trajnerit Hallaçi dhe çdo gjë po shkon më së miri. Synimi ynë është i qartë, ngjitja e ekipit në Kategorinë e Parë”, ishin fjalët e drejtorit Xhafa.