Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

KATEGORIA II

EKSKLUZIVE/ “Ringjallja” e Besëlidhjes, rrëfehet drejtori Malota: Dritë në fund të “tunelit” për tifozët lezhjanë! Objektivi, një kategori më lart

Shkruar nga Nikoll Rajta
EKSKLUZIVE/ “Ringjallja” e Besëlidhjes, rrëfehet drejtori
Drejtori sportiv i Besëlidhjes, Renato Malota, trajneri Elvis Plori, kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu dhe presidenti i klubit Pjerin Fusha

Besëlidhja po ringjallet. Klubi lezhjan po merr tjetër “fytyrë”, teksa investimet këtë merkato verore kanë qenë për notën “10”. Presidenti, Pjerin Fusha duket se e ka marrë mjaft seriozisht ngjitjen e Besëlidhjes në majat e futbollit shqiptar.

Në stol uli trajnerin Elvis Plori, ndërsa afroi edhe lojtarë të njohur si Abaz Karakçi, Ardit Hila, Gjergji Përgjoni e të tjerë. Megjithatë, një nga lëvizjet më të zgjuara të Fushës, ishte emërimi si drejtor sportiv i Renato Malotës.

Kampion me Egnatian në dy sezonet e fundit dhe me një karrierë të pasur në elitën e futbollit shqiptar, Malota shkon me “bagazhin” plot për të mbajtur këtë rol të rëndësishëm në Lezhë.

Ndërkohë, në një intervistë të dhënë për “Newsport.al”, është vetë Malota që flet për “shndërrimin” e Besëlidhjes. Drejtori sportiv i lezhjanëve tregon objektivat e klubit ku aktualisht po punon, teksa thekson falenderimet për presidentin, duke e cilësuar si iniciatorin kryesor për këto investime, të cilat janë gati të japin “frytet” e para.

Ky sezon pritet të jetë i veçantë për Besëlidhjen, duke marrë parasysh investimet që janë bërë. Si i shihni këto investime dhe si mendoni se do të ndikojnë në performancën e ekipit?

Më në fund do thoja dritë në fund të tunelit për qytetin e Lezhës dhe tifozët e futbollit lezhjan. Fatmirësisht, ekipi tani është në duar të një nga biznesmenëve më të mirë dhe më korrektë të Lezhës dhe një nga kryetarët e bashkisë më të mirë që ka pasur Lezha vitet e fundit. Është një projekt shumë serioz dhe kjo ka qenë edhe arsyeja pse u binda që të marr postin e drejtorit sportiv. Po investohet në çdo aspekt dhe jam shumë i sigurtë që në një të ardhme të shkurtër do të shikohet një ndryshim shumë i madh në çdo aspekt tek ekipi i Besëlidhjes.

Një nga ndihmësit kryesorë të këtij procesi është padyshim presidenti Pjerin Fusha. Si e shihni rolin e tij dhe sa i rëndësishëm është për zhvillimin dhe suksesin e klubit?

Së pari, si qytetar lezhjan, e falenderoj z. Pjerin Fushaj që e mori ekipin e qytetit tonë për ta çuar në majën e futbollit shqiptar, po ashtu dhe që më besoi një rol shumë të rëndësishëm në këtë klub. Roli i presidentit, si kudo, është shumë i rëndësishëm, sepse ai është pasqyra e ekipit dhe jam i bindur që Besëlidhja, nën drejtimin e tij, do të ketë suksese në të ardhmen.

Ekipi do të luajë në Kategorinë e Dytë, por ambiciet janë të mëdha. Cilat janë objektivat kryesore për këtë sezon dhe cilat janë sfidat më të mëdha që mund të përballoni?

Objektivi dihet që është të ngjitemi në një kategori më lart. Realisht, kur unë pranova të merrja këtë rol, ishte pak vonë sepse të gjitha ekipet ishin plotësuar, por deri diku jam i lumtur për ekipin që kemi bërë bashkë me trajnerin Plori. Kemi marrë lojtarë shumë të mirë që mendohet të jenë pjesë e projektit tonë për të ardhmen.

Si drejtor sportiv, çfarë lloj filozofie futbolli dëshironi të impononi te Besëlidhja, sigurisht në bashkëpunim me trajnerin Plori?

Për momentin jam i fokusuar tek ndërtimi i ekipit dhe në menaxhimin e gjërave këtu, por dihet që ambicjet e mia janë të mëdha dhe normalisht duhet kohë, por do t’i marrim gjërat me radhë.

Dhe e fundit, si e shihni ecurinë e ekipit për sezonet që vijnë dhe cilat janë planet afatgjata për Besëlidhjen? A ka ndonjë projekt të rëndësishëm që mund të zbuloni?

Siç e thashë edhe më lart, projekti është shumë serioz dhe shpresëdhënës. Nëse të gjithë bashkë, pra trinom, do e quaj President-Kryetar-Drejtor sportiv, do jemi në një mendje dhe do i qëndrojmë asaj që ne kemi rënë dakord. Më besoni, që shumë shpejt Besëlidhja do të jetë pjesë e elitës shqiptare dhe jo një ekip kalimtar, siç ka qenë më parë. Nuk dua të zgjatem shumë, sepse dua që të flas me vepra, pra me punën që unë do të bëj.

 

 

Poll

Lexo gjithashtu