
Besëlidhja e “riformatuar”, e ka nisur sezonin në Kategorinë e Dytë, në mënyrë mjaft të mirë. Edhe pse lojtarët janë të “panjohur” me njëri-tjetrin apo me trajnerin Elvis Plorin, në 3 ndeshjet e para kanë marrë 7 pikë.
Pikërisht për situatën te lezhjanët, por edhe objektivat, në një intervistë të dhënë për “Newsport.al”, ka folur qendërmbrojtësi Gjergji Përgjoni. Lezhjani, Përgjoni gjithashtu ka folur edhe për kohën kur ishte pjesë e Ilirisë, teksa ka edhe një mesazh për tifozët e Besëlidhjes.
Një Besëlidhje e “riformatuar”, si po shkojnë gjërat brenda ekipit?
Grupi është i bashkuar dhe atmosfera është shumë pozitive. Ka pasur ndryshime në skuadër, por kemi krijuar shpejt harmoninë e duhur. Stafi teknik po punon me seriozitet, dhe çdo ditë në stërvitje ndihet dëshira për përmirësim. Jemi një ekip me synime të qarta dhe me frymë bashkëpunimi.
Sezonin e keni nisur pozitivisht, cili është sekreti i paraqitjeve të mira?
Sekreti qëndron te puna e përditshme dhe te uniteti. Çdo ndeshje e marrim me përqendrim maksimal, pa nënvlerësuar askënd. Kemi ndërtuar një grup që i beson procesit, dhe kur ekziston kjo frymë, rezultatet vijnë natyrshëm.
Cilat janë objektivat e Besëlidhjes dhe ato personale të Përgjonit?
Objektivi i klubit është që Besëlidhja të rikthehet aty ku e meriton, në nivelet më të larta të futbollit shqiptar. Nga ana personale, dua të jap maksimumin në çdo ndeshje dhe të ndihmoj skuadrën me kontributin tim, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë profesional.
Nga Iliria në Lezhë, si e kujtoni periudhën në Fushë-Krujë dhe çfarë iu bindi të bashkoheshit me Besëlidhjen?
Periudha te Iliria ka qenë shumë e veçantë për mua, sepse aty jo vetëm që dolëm kampionë, por pata edhe mundësinë të luaj në një ambient shumë të shëndetshëm, me njerëz që e duan futbollin dhe që krijojnë kushte të mira për lojtarët. Ajo përvojë më ndihmoi të rritem si sportist dhe si njeri. Kalimi te Besëlidhja erdhi natyrshëm, pasi pashë një projekt ambicioz, seriozitet në punë dhe një dëshirë të madhe për të arritur suksese. Këto ishin arsyet që më bindën të bëhem pjesë e këtij klubi.
Cilin prej skuadrave shihni si kundërshtarin me të fortë?
Kampionati është i balancuar dhe çdo skuadër ka cilësitë e veta. Megjithatë, ne nuk fokusohemi te kundërshtari, por te vetja. Nëse luajmë me përkushtim dhe disiplinë, çdo kundërshtar është i kalueshëm.
Një mesazh për tifozët?
Tifozët e Besëlidhjes janë forca jonë shtesë. Unë vetë kam qenë tifoz i skuadrës që në fëmijëri, ndaj e ndjej krenarinë dhe përgjegjësinë që sot mbaj fanellën e qytetit tim. U them faleminderit për mbështetjen e vazhdueshme, premtoj që do japim gjithmonë maksimumin për t’i bërë krenarë dhe për ta parë sërish Besëlidhjen aty ku e meriton, në majat e futbollit shqiptar.