Flamuartari ka gjetur vazhdimësinë në kampionat pas humbjes në ndeshjen e parë. Vlonjatët kanë 4 fitore rresht dhe në sfidën e radhës ndaj Valbonës do të kërkojnë një tjetër fitore për të tentuar kreun e renditjes që mbahet nga Besa me 1 pikë më shumë.
Në Vlorë në merkaton e verës kanë bërë shumë afrime cilësore për të siguruar Superiores, pasi kuqezinjtë enden në Kategorinë e Parë për të 4-tin vit radhas. Këtë sezon të gjithë besojnë se ka ardhur momenti për t’u rikthyer në elitë dhe për të qenë mes më të mirëve të Superiores.
Por pavarësisht dëshirës dhe shpresës, në Vlorë kanë edhe frikë. Diçkaje të tillë i “druhet” jo pak presidenti Sinan Idrizi, i cili për Superioren nuk është kursyer aspak. Kreu i klubit në një takim me stafin dhe lojtarët ka kërkuar që ekipi të qëndrojë me “këmbë në tokë”, pasi euforia mund t’i “fundosë”.