
Kanë përfunduar të gjitha takimet e javës së 21-të të Kategorisë së Parë, ku tre ndeshje janë luajtur ditën e sotme. Vora vijon të kryesojë tabelën e kampionatit me 51 pikë të grumbulluara.
Djemtë e Bellait morën një fitore të rëndësishme sot ndaj Burrelit në transfertë me shifrat 1-0 falë golit të Francesco Hasajt. Ndërsa ekipi i drejtuar nga Ditmar Bicaj mbetet në vendin e katërt të Kategorisë së Parë, me 34 pikë.
Gjithashtu dhe Flamurtari fitoi sot ndaj Lushnjes me shifrat 3-0, duke ndjekur Vorën që kryeson me dy pikë më shumë. Ndërsa ekipi lagunar gjendet një vend sipër zonës së ftohtë me 7 pikë larg tyre.
Një triumf me vuajtje ka marrë dhe Besa duke mposhtur Kukësin me shifrat 2-1. Kavajasit gjenden në vendin e tretë të renditjes me 43 pikë, ndërsa verilindorët në vendin e 8-të të zonës së ftohtë me shtatë pikë larg daljes nga kjo zonë.
Pogradeci vijon ecurinë pozitive, kësaj radhe duke mposhtur Korabin me rezultatin minimal 1-0. Ekipi liqenor gjendet në vendin e pestë që e mban në zonën e Play Off-it, ndërsa skuadra nga Peshkopia në vendin e 10-të të zonës së ftohtë.
Kastrioti është ndalur në barazim këtë javë ndaj Valbonës së vendit të parafundit me shifrat 1-1. Ekipi krutan gjendet në vendin e gjashtë që e dërgon në Play Off-in e Superiores.
Gjithashtu dhe Apolonia nuk ka arritur të marrë veçse një barazim pa gola ndaj Erzenit të vendit të fundit. Fierakët ndodhen në vendin e shtatë të renditjes, 3 pikë larg Kastriotit të një vendi më sipër.

