Flamurtari ishte një nga skuadrat që bëri merkaton më cilësore në periudhën e hyrje-daljeve në sesion e verës. Presidenti Sinan Idrizi nuk u kursye aspak, përkundrazi afroi në ekip lojtarë që kanë bërë diferencën në elitën e futbollit shqiptar. Në krye të pankinës emëroi një trajner me përvojë si Andrea Agostinelli, megjithatë jo gjithçka po shkon në të njëjtën linjë si përgatitjet e drejtuesve.
Ndërsa pritej që në këtë edicion, kuqezinjtë mos të diskutonin vendin e parë, Besa e Kavajës mund të cilësohet si surprizë në raport me cilësitë organike që zotëron Flamurtari. Aktualisht, verdhezinjtë gjenden në vendin e parë me 16 pikë, 1 më shumë se vlonjatët ndjekës. Ndërkaq në vend të tretë renditet Vora në të njëjtën kuotë pikësh me Flamurtarin.
Në kampin vlonjat janë të qetë me në krye trajnerin italian që është shprehur pas ndeshjeve se nuk shqetësohet për pikët, por është loja ajo që e kënaq. Me interes pritet të shihet përballja e datës 5 tetor, ku Flamurtari do të luajë në transfertë kundër Korabit, në orën 14:00.