Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

KATEGORIA I

EKSKLUZIVE/ "Boshti i Sopotit duhet të ruhet", drejtori sportiv Fatjon Xhafa zbulon planet për Kategorinë e Parë: Do afrojmë emra me peshë

Shkruar nga NEWSPORT
EKSKLUZIVE/ "Boshti i Sopotit duhet të ruhet", drejtori sportiv
Ekipi i Sopotit dhe drejtori sportiv Fatjon Xhafa

Sopoti sheh përpara, pasi ky edicion 2025/26 u mbyll me një përmbushje objektivi siç ishte ngjitja në “Kategorinë e Parë”, ku do të luajnë pikërisht sezonin e ardhshëm. Një rikthim ky për skuadrën nga Librazhdi që do garojë në këtë kampionat pas 9 vitesh mungesë.

Padyshim, meritat për këtë sukses i kanë trajneri Rrahman Hallaçi si dhe drejtori sportiv i klubit, Fatjon Xhafa. Pikërisht, ky i fundit në një intervistë të dhënë për Newsport.al ka dhënë më shumë detaje rreth asaj çfarë ka ndodhur tek kjo skuadër pas asaj fitore në “play-out”, lëvizjet që planifikohen në organikën e grupit si dhe analiza për kundërshtarët që do të gjejë në të Parën.


Fatjon, Sopoti siguroi ngjitjen në Kategorinë e Parë pas finales së “play-out” ndaj Luftëtarit. Si e përjetuat atë moment dhe çfarë peshe kishte kjo arritje për klubin?

“Sigurisht që ishte një emocion shumë i madh për mua, klubin dhe të gjithë tifozët e Librazhdit, pasi ishte një gjë që e kishim pritur prej shumë vitesh dhe më në fund u bë realitet që më në fund Sopotin ta rikthejmë në nivelet më të larta të futbollit shqiptar aty ku me të vërtetë i takon të jetë.”

Duke parë gjithë sezonin në tërësi, cilat mendoni se ishin pikat më të forta të skuadrës dhe ku mendoni se ekipi mori mësimet më të mëdha?

“Forca jonë më e madhe ishte fryma e grupit dhe serioziteti që ekipi tregoi gjatë të gjithë kampionatit, dhe bashkëpunimi dhe puna e palodhur e të gjithë drejtuesve dhe stafit me në krye trajnerin Rrahman Hallaci, ndërsa mësimet më të mëdha mendoj që ekipi i mori pas javës së 5 kur ne u mundëm me ekipin e Shirokës ku kjo humbje na shërbeu për të na treguar që nuk jemi të pathyeshëm, por do të na duhet të luftojmë fort deri në fund, për të arritur objektivin, sepse nuk ka asgjë të lehtë.”

Cila skuadër ju vendosi më shumë në vështirësi gjatë kampionatit në Kategorinë e Dytë? Ndërkohë, a ka nisur puna për analizimin e kundërshtarëve në Kategorinë e Parë?

“Mendoj që Kategoria e Dytë këtë sezon ka qenë një ndër më të fortat e të paktën këtyre sezoneve që unë jam pjesë e Sopotit, pasi ka pasur ekipe mjaft të forta, ku padiskutim përveç nesh Besëlidhja e Lezhës bënte diferencën e cila dhe me meritë le të themi doli në vendin e parë, sigurisht dhe Shiroka kishte një ekip mjaft cilësor, dhe deri në ndeshjet e fundit ishte kandidate serioze për të kaluar në Kategori të Parë. Sigurisht që kundeshtarët në kategori të parë këtë sezon do jenë ndër më cilësoret pasi në të bëjnë pjesë ekipe të mëdha në futbollin shqiptar si Flamurtari, Bylis, Pogradeci, Besa e shumë të tjera. Kjo na bën që ne shumë shpejt të nisim punën për ndërtimin e një ekipi cilësor pasi asgje s’do jetë e lehtë.”

Merkatoja e verës po afron. Çfarë lëvizjesh pritet të bëjë Sopoti dhe a mund të presim afrime me emër për të rritur nivelin e skuadrës?

“Padiskutim që ekipi do të ndërhyjë në merkato dhe emrat që do afrohen do jenë me peshë në futbollin shqiptar, brenda javës do ulemi me drejtuesit dhe stafin me në krye trajnerin Hallaçi, dhe do të diskutojmë për lëvizjet që do të bëjmë. Siç e thashë edhe më lartë, Kategoria e Parë do të jetë shumë e vështirë dhe duhen lojtarë shumë cilësorë, por mendoj që bërthama e ekipit duhet të ruhet, pasi ishte kjo skuadër që na siguroi ngjitjen në Kategori të parë, dhe realisht cilësia nuk iu mugon.”

Sa i përket largimeve, si qëndron situata me lojtarët që mund të ndryshojnë ambient. Ka interesime?

“Sigurisht që edhe largime nga ekipi do ketë. Për momentin nuk mund të përmend emra, sepse kjo është në dorën e stafit teknik për të dhënë verdiktin se kush lojtar nuk bënë më pjesë në planet e tyre.”

Ahmed Aminu ishte një nga pikat më të forta të ekipit dhe golashënuesi më i mirë. A do të jetë ai sërish lideri i repartit ofensiv edhe sezonin e ardhshëm?

“Ahmed Aminu pa diskutim që ishte një ndër pikat më të forta tonat dhe e them me plot bindjen që jemi me shumë fat që kemi një lojtar të tillë. Jo më kot interesim për të ka pasur dhe nga ekipe të Superligës, por premtimi i tij është që edhe për sezonin e ardhshëm ai do qëndrojë me ne.”

Objektivat afatgjatë: Është ende herët për të folur për Superioren apo Sopoti po ndërton gradualisht një projekt edhe për atë nivel?

“Është ende shumë herët për të thënë objektiva konkrete, por për të qenë i sinqertë ekipi si fillim duhet të sigurojë qëndrimin në Kategori të Parë dhe më pas të shikojmë gradualisht dhe me shpresën që në të ardhmen do të na afrohet dhe ndonjë sponsor që do të na garantonte dhe financa më të shëndosha dhe objektivat të jenë edhe më madhore.”

Poll

Lexo gjithashtu