Pogradeci po vijon me punën për përgatitjet e sezonit të ri në Kategorinë e Parë, aty ku do të provojnë sërish të arrijnë objektivin madhor e njëkohësisht, të panegociueshëm, ngjitjen në elitë në edicionin pasardhës.
Në një postim të shpërndarë së fundmi në rrjetet e tyre sociale, liqenorët shkruajnë se shumë shpejt skuadrës do t’i bashkohen elementë të rinj të cilët do t’i shtojnë nivelin e konkurrencës dhe për të dhënë impaktin e menjëhershëm.
Ambiciet reflektojnë qartazi misionin e klubit pogradecar, t'i shkojnë deri në fund një rrugëtimi me një fund premtues e të arrirë.
POSTIMI:
“KF Pogradeci vijon punën me vendosmëri në merkaton e verës, duke ndërtuar një skuadër me cilësi, karakter dhe ambicie për sezonin e ri. Në ditët në vijim do të zyrtarizohen afrimet e para, futbollistë të përzgjedhur për të rritur nivelin konkurrues të ekipit dhe për t’i dhënë skuadrës një impakt të menjëhershëm që në startin e kampionatit.
Objektivi i klubit është i qartë dhe i panegociueshëm: KF Pogradeci do të jetë një pretendent serioz për ngjitjen në Kategorinë Superiore. Klubi do të vijojë të informojë tifozët dhe opinionin sportiv për çdo zhvillim zyrtar në lidhje me merkaton.”
