
Tirana do të udhëtojë në Durrës për të sfiduar Teutën në kuadër të javës së 20-të të Superiores. Takim ky që do të zhvillohet në “Niko Dovana” ditën e premte, me sfidën që starton në orën 17:00.
Një ndeshje e rëndësishme për bardheblutë që pas fitores spektakolare ndaj Dinamos do të kërkojnë një tjetër triumf për të “blinduar” “Final – Four”. Në këtë përballje Jualian Ahmataj do të ketë mungesa për shkak kartonësh dhe dëmtimesh.
Liridon Latifi u ndëshkua me karton të verdhë ndaj “Bluve” dhe ka plotësuar numrin 4-të të tyre. Në këtë mënyrë ndaj durrsakëve do të jetë i pezulluar. Për shkak dëmtimesh do të vazhdojnë të mungojnë Klevi Qefalia dhe Patrick që vazhdojnë rikuperimin dhe ende nuk janë gati për të zbritur në fushën e lojës.
Ndërkohë nga ana tjetër në dyshim është edhe Filip Najdovski. Mbrojtësi ka ende dhimbje shpine. Për shkak të këtyre shqetësimeve mungoi edhe ndaj Dinamos.