Elbasani ka triumfuar përballë Vorës ditën e sotme, në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të të “Abissnet Superiore”. Sfida e zhvilluar në stadiumin e Vorës, përfundoi 2-1 në favor të “verdhebluve”. Pas këtij dueli ka folur "Lojtari i Ndeshjes", Karim Loukili.
“Ndeshje e vështirë sot, e dinim që Vora është skuadër e fortë në shtëpi. Na interesonin 3 pikët, sepse humbëm përballë Vllaznisë dhe na duhej për të shkuar përpara. Gjëja me rëndësishme është që Elbasani nuk ka ndryshuar shumë nga sezoni i kaluar. E njohim njëri-tjetrin shumë mirë, pasi kemi luajtur edhe sezonin e kaluar bashkë. E dimë se çfarë nuk bëmë mirë sezonin e shkuar dhe tani do të bëjmë më mirë.
Kemi një atmosferë shumë të mirë, brenda edhe jashtë fushës. Ne jemi përmirësuar. Objektivi? Objektivi është i qartë, duam të shkojmë në Evropë, por ka shumë skuadra të forta në kampionat, të shikojmë ndeshje pas ndeshje për të shkuar deri në fund. Objektivi ynë është të kapim Evropën, të shohim ç’mund të arrijmë më shumë”, tha Loukili.
