
Një ndër lojtarët polivalent dhe më të aktivizuar te Vllaznia, Erdenis Gurishta është ndalur të flasë për RTSH Sport mbi sezonin që kuqeblutë po kalojnë. Forma jo e mirë dhe vendi i tetë që të çon në ndeshjen shtesë për qëndrimin në Elitë, ka bërë që Vllaznia të përgatitet me dy seanca në ditë, ndërsa Gurishta e sheh të mundshëm edhe shpëtimin.
"Po kalojmë një moment të keq pas karantinës. Ato pushime na kanë ndikuar në aspektin fizik. Jemi mbrapa me përgatitjet. Nuk kemi bërë stërvitje në kohë karantine, duke qenë i vetmi ekip që respektuam masat dhe kjo gjë duket në fushë. Ky nuk është justifikim, janë 5 ndeshje dhe 5 finale. Gjithçka është e aritshme.
Këtë javë kemi filluar me dy seanca stërvitore, trajneri e ka parë të arsyeshme që të risë ngarkesën. Trajneri e ka parë të arsyeshme që të bëjë këtë gjë dhe shpresojmë që të mos kemi dëmtime pasi edhe temperaturat janë të larta dhe ngarkesa gjithashtu. Deri më tash po ecim mirë.
Kemi gabuar shumë me Bylis dhe Teutën. Supozohej që të merrnim pikët e plota dhe sot jemi në play-out. Katër pikë nuk janë shumë dhe nëse Ballshi nuk gabon do të mendojmë për ndeshjen shtesë", u shpreh Gurishta.