Llapi – Ballkani ishte pa më të voglin dyshim ndeshja më e bukur e këtij sezoni në kampionatin e Kosovës. Në superduel që prodhoi plot 8 gola me vendasit që fituan 5-3. Pas sfidës, trajneri i Llapit Tahir Batatina dha prononcimin e tij.
Elozhet për skuadrën që e ka ndërtuar vetë nuk mungojnë, por Batatina ka një sfidë akoma më të madhe për të provuar pasi prej javësh është vetë-kandiduar për stolin e Përfaqësueses së Kosovës.
“Të gjithë e dijnë se kush më ka motivuar për këtë fitore. Batatina nuk është trajner i provave. Jam trajner i dëshmuar. Djemtë bënë maksimumin dhe u angazhuan shumë. Kjo është fytyra e vërtetë e Llapit.
Ishte lojë e luftuar nga të dyja skuadrat. Ballkani ka cilësi brenda ekipit. Taktikisht, gjatë gjithë javës kam bërë analiza të thella. Bëra ndryshime sepse e kisha lojën nën kontroll. Përndryshe, rezultati do të ishte edhe më bindës.
Kjo është diçka e mirë për Superligën pasi u tregua se këtu ka kualitet. Mendoj që e gjithë skuadra funksionoi në çdo repart. Mbuluam mirë kundërshtarin, shënuam golat në mënyrën më të mirë të mundshme, ashtu edhe siç ishim përgatitur”, ka thënë Batatina.