Kristjan Asllani bëri hapin e madh të karrierës me transferimin e tij tek Interi për shifrën e 14 milionë eurove që u derdhën në arkat e Empolit. Fillimi i sezonit nuk ka shkuar sipas pritshmërive për elbasanasin që ka marrë vetëm 29 minuta në 8 ndeshje. Në një intervistë për Gazzetta Dello Sport, ish-trajneri i Asllanit tek Empoli shpjegon situatën.
“Asllani është në procesin e zhvillimit. Ai është transferuar tek Interi e jo në Shqipëri. Inzaghi ka bërë mirë që nuk e ka hedhur mes ujqërve në fushë. Përpara Asllanit luan Brozovic. A e njihni kush është? Besoj se e dini për çfarë futbollisti po flasim.
Është normale, edhe vjet kështu ishte. Asllani e filloi sezonin në janar me ne pasi erdhi nga ekipi i të rinjve dhe kishte nevojë për eksperiencë për të kuptuar se si është Serie A.”- u shpreh tekniku italian.