
Jorgo Pëllumbi ishte titullar mbrëmjen e djeshme në fitoren 2-1 të Skënderbeut kundër Laçit. Mesfushori korçar është vetëm 18-vjeç por cilësitë e tij premtojnë shumë për të ardhmen. Si një motorr në fushë, ai s'u ndal për asnjë minutë duke treguar edhe një herë që vendi i titullarit tashmë është "blinduar".
Prej disa vitesh, klubi korçar ka investuar për të, sigurisht mbështetur nga familja e djaloshit. Në verë pati disa oferta në drejtim të tij, megjithatë bardhekuqtë duan ta rrisin cilësisht edhe më shumë, pse jo, për të mbushur më pas arkat ashtu siç është aplikuar me lojtarët e tjerë.
Prej kohësh, Pëllumbi ishte pjesë e Skënderbeut B. Vetëm me ardhjen e Orges Shehit në pankinën korçare, ai ka arritur të marrë minuta në këmbë duke dhënë sinjale pozitive për të ardhmen. Edhe ditën e djeshme, ishte ndër më aktivët në fushë. Lojtarët janë, cilësia po ashtu, tashmë klubi i Skënderbeut mund të "fërkojë duart", pasi talentët po rriten dita-ditës.