
Liria është pranë rikthimit në elitën e futbollit kosovar. Pas fitores ndaj Ualpinës në ndeshjen e Play-Offit në Kategorinë e Parë tashmë radhën e ka Ferizaj.
Liria dhe Ferizaj do të masin forcat me datë 4 qershor në ndeshjen direkte për një vend në Superligë. Përpara kësaj ndeshjes skuadra e Lirisë ka marrë një motivim nga futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi.
Kujtojmë që Muriqi ka dalë nga skuadra e Lirisë me të cilën ka luajtur deri në vitin 2013. Ylli i Mallorcas nuk e harron skuadrën e tij në ndeshjen deçisive të sezonin. Muriqi u ka dërguar atyre një mesazh për t’i dhënë kurajo përpara sfidës më të rëndësishme.
“Përshëndetje për të gjithë. Në radhë të parë ju përgëzoj të gjithë juve, për suksesin deri më sot. Ka mbetur edhe një hap i vogël për të hyrë në Superligën e Kosovës, kështuqë unë ju urojë shumë suksese në ndeshjen e barazhit. Nuk kam aspak dyshim që do e kalojmë barazhin dhe do hyjmë në Superligën e Kosovës. Forca Liria!”, ka thënë Muriqi.