Portieri i Partizanit, Pano Qirko, dha prononcimin e tij për MCN TV pas fitores ndaj Teutës. Gardiani është i lumtur që do të ketë trajner Shehin pasi ka qenë portier dhe e njeh më mirë. Gjithashu ai shprehet i bindur se ish-ekipi i tij do të shpëtojë sezonin me blerjet e reja në merkato.
“Kemi kaluar një periudhë me shumë barazime dhe 1 humbje. Duheshin pikët, sot ishte një ndeshje e vështirë. Jam i lumtur që fituam dhe morëm 3 pikë.
Situata e Teutës? Nuk e diskutoj që do të shpëtojnë, kam besim te ata lojtarë dhe do të dalin nga kjo situatë. Në stadiumin tonë është e vështirë, por Teuta do të ndryshojë rrjedhën e kampionatit dhe me blerjet e reja do të forcohet akoma më shumë.
Të gjithë portierët janë në nivel të mirë dhe të gjithë janë “On Top”. Po them Etrit Berisha (qesh).
Pritjet në 2 minutat e para? Portieri ka një rol vendimtar dhe portieri duhet t’i shfrytëzojë cilësitë në momentet e nevojshme. Detyra është të mbajë portën e paprekur dhe sa më pak gola të ketë aq më shumë rritet si profesionalisht edhe mentalisht.
Biseda me Shehi? Kemi folur shumë për taktika, lojën me këmbë. Duhet t’i përshtatem ekipi. I kënaqur që kam një trajner ish-portier pasi më njeh më mirë. Jam me fat që e kam.”-tha Qirko.