Një tragjedi përfshiu futbollin shqiptarë mesditën e sotme. Në ndeshjen Egnatia – Partizani, Raphael Dwamena ra pa ndjenja në fushën e lojës në minutën e 24-të. Sulmuesi u dërgua menjëherë për në spital, ku për fatin e keq nuk ia doli dot të mbijetonte.
Për ndarjen nga jeta të ganezit ka reaguar edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Kreu i FSHF-së shpreh ngushëllimet, ndërsa vë në ppah edhe karakteristikat e sulmuesit.
“Jam thellësisht i shokuar e i tronditur për ndarjen e parakohshme nga jeta të lojtarit të Egnatias, Raphael Dwamena.
Një lojtar i fortë, me shpirt gare, një futbollist që edhe në statistikat e FSHF dhe të Superiores, kishte rekordin më të mirë të golave.
Dëamena tregonte disiplinë e karakter dhe një futbollist që kishte komunikim të jashtëzakonshëm me shokët e ekipit, por edhe jashtë tij.
Në emër të FSHF i shpreh ngushëllimet e mia familjarëve të futbollistit dhe vetë ekipit të Egnatias ku ai kontribuoi dhe shkëlqeu në këtë karrierë të tillë futbollistike. Rest in peace Raphael Dwamena”, ka shkruar kreu i FSHF-së.