
Ekipi kampion i Shqipërisë, që ka fituar të drejtën të jetë në shortin e 20 qershorit për Kupat e Europës, po transformohet gradualisht. Nga Skënderbeu ka pasur shumë rrjedhje dhe sidomos largimet e Arapit dhe Vangjelit sollën shqetësim te tifozët, por presidenti Ardjan Takaj garanton se këto ndryshime vijnë për një ekip më të madh. Tani të gjithë pyesin se cilat do të jenë afrimet. Drejtuesit nuk japin emra, thjesht thonë se kanë marrë masat për një Skënderbe super. “Sport Ekspres” bën me dije se në listën e merkatos së korçarëve janë lojtarë si Andi Lila, Mentor Mazrekaj dhe Arbnor Fejzullahu. Lojtarë me përvojë dhe kualitet të lartë, të cilët, nëse vërtet bashkohen me kampionët, i bëjnë ata edhe më të fortë. Të paktën njëri mes Lilës dhe Fejzullahut duhet për të zëvendësuar Vangjelin, ndërsa Mazrekaj do të bënte shumë punë për krahun e majtë të mesfushës. Një alternativë duket se është edhe lojtari japonez, Masato Fukui, i aktivizuar me Tiranën sezonin e fundit.